Sot në Prishtinë ka nisur të mbahet mbledhja e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në mbledhjen e dy qeverive, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë folur për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve, në mënyrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve në të dy vendet, shkruan lajmi.net.
Kurti është shprehur i lumtur për mbledhjen e tetë me radhë që po mbahet mes dy vendeve, ndërsa ka thënë se tashmë është koha që optimizmi të kthehet në entuziazëm.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij gjithashtu ka folur për arritjet e dy vendeve deri më tani, ndërsa nuk është kursyer edhe për batuta.
Pak çaste para se të niste leximin e marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët, Rama ka thënë se prej se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pushtetin në Kosovë, janë zvogëluar edhe shkronjat në dokumentet zyrtare.
“Dua të them diçka, prej se Vetëvendosja ka marrë pushtetin janë zvogëluar edhe shkronjat këtu, ndoshta për kursimin e fletëve. Dihet se Vetëvendosje janë shumë të kujdesshëm në shpenzimin e buxhetit”, ka thënë Rama duke shkaktuar të qeshura në sallë.