Në Prishtinë u promovua libri “Sali Çekaj – Luftëtar i orëve të para të lirisë së Kosovës”. Në këtë ngjarje u vlerësua figura e komandantit Çekaj si një nga nismëtarët e parë të organizimit të armatosur, jurist e intelektual që jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se libri është një dritare e re për ta njohur jo vetëm si luftëtar, por edhe si intelektual e patriot.
Rama shtoi se Kosova i ka borxh Sali Çekajt dhe familjes së tij, e cila e përkrahu dhe ia dha vendit një nga bijtë më të mëdhenj.
“Sot jemi mbledhur në këtë vend të dijes dhe të kujtesës për ta nderuar një figurë të rrallë të historisë sonë. Një njeri që Kosovën e deshi aq fort, sa dashurinë për të e vuri edhe përmbi jetën e vet. Sali Çekaj nuk ishte veç një tjetër luftëtar në luftën për liri. Ai ishte njëri nga nismëtarët e parë të organizimit të armatosur, një jurist, një intelektual, një patriot që besonte se Kosova duhej me u ngritur me dinjitet kundrejt shtypjes. Në malet e Deçanit e të Dukagjinit, ai u bë frymëzim për të gjithë ata që nuk pranuan të nënshtroheshin. Libri që sot po promovojmë është një përmbledhje artikujsh e shkrimesh nga autorë të ndryshëm, si dhe intervistash me bashkëluftëtarët e tij. Kështu, kjo përmbledhje na vjen si një mozaik kujtesash prej shumë zërave, të bërë bashkë në një sinergji që kësisoj ia ndriçon figurën edhe më shumë këtij atdhetari. Dua me këtë rast t’i shpreh mirënjohje të veçantë zotit Nue Oroshi, falë përkujdesjes së të cilit u bë e mundshme që krejt këto shkrime e dëshmi fotografike të gjejnë vend brenda këtyre kopertinave. Ky vëllim është prandaj një dritare e re për ta njohur Sali Çekajn, jo vetëm si komandant lufte, por edhe si jurist, si organizator, si bir, si shok, e si njeri”.
“Sot dua të përulem me respekt të veçantë para familjes së komandantit Çekaj. Sepse i jemi borxhlinj jo vetëm atij, por edhe mbarë familjes, që e mbrujti, që e përkrahu, që ia dha Kosovës. Sali Çekaj ra heroikisht më 19 prill 1999, në betejën e Koshares. Ai nuk e kërkoi lavdinë, nuk e kërkoi titullin e heroit. Ai deshi vetëm që Kosova të ishte e lirë. La gjithçka pas, për t’ia dhënë Kosovës lirinë që sot e gëzojmë. Dhe ajo që figurën e tij e bën edhe më të madhe është trashëgimia që ai na e lë me veprën e tij vetëmohuese: guximi për të marrë përgjegjësi kur pakkush guxonte, vizioni për t’u organizuar kur gjithçka dukej e pushtuar, dhe mbi të gjitha, njerëzillëku i tij, sepse as në mes të luftës nuk harronte ta shihte tjetrin si mik e si vëlla. Prandaj le ta lexojmë këtë libër me mendje e zemër bashkë. Le t’ua përcjellim brezave rrëfimin e komandant Çekajt, që le ta kuptojnë se si u fitua liria, e se kush i doli zot”, theksoi Rama.
Kryetari i Shoqatëskryetari i Shoqatës së Intelektualëve shqiptarë në diasporë “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi, tha se e vërteta për Çekajn dhe për luftën çlirimtare të Kosovës duhet të ndriçohet brez pas brezi.
“Duhet të ruhemi për mallkimin e historisë, duhet ta themi të vërtetën, është si një shtizë shpuese. Të gjithë u bëmë bashkë për ta nxjerrë në dritën e diellit për luftëtarin Sali Çekaj. Kurrë nuk e lëshoi pushkën nga dora, këto krisma mobilizuan vajzat dhe djemtë shqiptarë. Pasi që lufta e UÇK-së trashëgiminë e ka nga Imer Berisha me shokët, urojmë që kryetari i Prishtinës Përparim Rama të na japë lejen që busti i Imer Berishës të shndritë Prishtinën. Kjo vazhdimësi na vjen dhe na përcjell nga heroi Gjergj Kastrioti.”
Çekaj ra heroikisht në betejën e Koshares më 19 prill 1999.

