Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore për zhvillimin, stabilitetin dhe vizionin afatgjatë të Kryeqytetit.
Rama bëri të ditur se sot, në Odën e Kryeqytetit, ka pritur Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë. Gjatë takimit, ajo i përcolli urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm.
Sipas Ramës, ky partneritet shkon përtej bashkëpunimit institucional dhe përfaqëson një aleancë vlerash, të ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Prishtinës.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Kryeqytetit.Sot, në Odën e Kryeqytetit, pata kënaqësinë të mirëpres Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e cila më përcolli urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm.Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar ai.






