Me ironi dhe kritika ndaj opozitës, e ka nisur kryeministri Edi Rama mocionin me debat për çështjen McGonigal në Kuvend.
Duke thënë me ironi se është i bindur që opozita do të fitojë bindshëm në zgjedhjet lokale të 14 majit, Rama tha se synimi i tij është të pastrojë politikën e pistë dhe të mjerë që mban mbërthyer vendin.
“Në 14 maj, ku përveç Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit ku na keni thënë se i keni në xhep, do të merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin.
Ndihem fajtor që nuk kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në vendin tonë. Ku gëlon gomarllëku, pisllëku, shejtanllëku.
Kjo nuk është politika. Profesioni i saj më i degraduar. Politika është diçka krejt tjetër, e lartë dhe e dobishme për njerëzit. Për të bërë ndryshime që njeriu nuk i bën dot i vetëm.
Përtej fushatave elektorale, zor se do t’ua bëj këtë përballje se do të jem i angazhguar në kurimin e virusit në politikë”.
Pas kësaj, kryeministri iu rikthyer çështjes McGonigal, ku pranoi takimet me ish-shefin e inteligjencës në FBI-së, por pyet se “ku është krimi dhe kompromentimi këtu”.
“Përsëritet ditë e natë që Kryeministri është përmendur 14 herë në aktakuzë. Dorjan Duçka ishte këshilltar i Jashtëm pranë meje në ato vite. Po kompromentimi në këtë fakt ku është?
Ish-shefi i kundërinteligjencës në New York më ka thënë lidhur me shoqëri ruse që mund të përdorin dhe të tjerë për të hyrë në sektorin stategjik të naftës. Po ku është kompromentimi këtu?
Çfarë krimi janë dhuaratat simbolike që shkëlmbehen rëndom kur marrim vizita. Kur isha te zyrat e FBI-së në New York më dhuroi një kapele që e kam akoma.
Pas takimit të shtatorit, e kam thënë, kemi pasur një marrëdhënie me shefin e kundërinteligjencës së FBI-së. Ku është krimi?
Takimi në Shqipëri/ Po, fakt! Ai është takuar me mua në Shqipëri. Pyetja mbetet, krimi apo kompromentimi ku janë këtu.
Shefi i FBI-së nuk ma ka thënë kurrë dhe nuk ia kam kërkuar diçka të tillë. E di kufirin etik mes kryeminstrit dhe zyrtarit të lartë të shteteve të tjera. E përsëris, ku është kompromentimi këtu?”