Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në RTV21 ka folur ndaj reagimeve që pati pas pjesëmarrjes në protestën paqësore për UÇK-në në Tiranë.
Ai nënvizon se përveç përkrahjes simbolike, ka qenë prezent në aktivitete paqësore dhe në çdo vend ku është dashur të tregojë mbështetjen e tij për UÇK-në dhe kauzën e drejtësisë.
“Dikush mundet me thënë se nëse e sheh kryeqytetin apo vendimet e mia për të rikrijuar sektorin për organizatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e sheh që unë e çmoj UÇK-në. Kam qenë përkrahës që nga fillimi, e kam përkrahur edhe në Prishtinë protestën paqësore, jam pro drejtësisë, dhe si rezultat kam qenë edhe në Tiranë, jam kudo që është nevoja të tregoj që jam pas vlerave të UÇK-së dhe pas drejtësisë.”
Rama i bindur: Unë kryetar edhe për 4 vite
Përparim Rama në RTV21 shprehu besimin e tij të plotë për një mandat të dytë si kryetar i Prishtinës. Ai thekson se qytetarët dhe anëtarët e partisë e kanë treguar mbështetjen e tyre që në raundin e parë të zgjedhjeve, duke siguruar një vazhdimësi të projekteve dhe zhvillimit të qytetit.
“Kryetar edhe për 4 vite? Absolutisht po. Unë nuk kam asnjë frikë. Qytetarët e kanë treguar mbështetjen e tyre edhe në raundin e parë, duke më votuar si kryetar të kryeqytetit dhe brenda partisë sime. Kjo është siguri. Nëse ndodh ndonjë ndërprerje, këto projekte do të mbeten të gjysmë, sepse nuk ka kush t’i menaxhojë, dhe do të mbetet kaos total.”






