Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vend.
Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës nga Aeroporti dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Ndërprerjet do të jenë në intervale të shkurtra kohore, ndërsa në disa raste trafiku mund të riorientohet në rrugë alternative.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik gjatë kohës së realizimit të kësaj vizite zyrtare.






