Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për të parin e kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se të gjitha projektet që i kanë paraqitur para katër viteve tash i kanë filluar, ku disa kanë përfunduar, disa janë në përfundim e sipër, disa kanë filluar e disa ende nuk kanë filluar sepse sipas tij, është projekt 8-vjeçar që e pati prezantuar atëherë.
Rama tha se një nga projektet më madhore është Rruga A, ku tha se aty shihet transformimi i kryeqytetit, e madje jo vetëm që shihet por edhe ndjehet pasi tha se nuk ka më kundërmim nga kanalizimet.
“Lidhja e Rrugës A me Rrugën B. Javët në vijim do ta hapim, pra po e lidhim Vetërnikun me Rrugën A plus me Rrugën B. Është një projekt madhor që ka zgjidhur një problem të madh edhe në aspektin shëndetësor, sepse më nuk është ai kanalizimi dhe kundërmimi”.
“Në aspektin e arsimit e kemi mësimin tërë-ditor, ku kemi filluar me pesë shkolla vitin e kaluar, kemi vazhduar me shtatë shkolla shtesë, me 12 shkolla tash. Do të vazhdojmë me të gjitha shkollat në katër vitet e ardhshme. Ky është një transformim fundamental. Mësimi tërë-ditor jo vetëm që krijon kushte më të mira për fëmijët tanë”, tha Rama në Rubikon në Klan Kosova.
Rama më tej u ankua në nivelin qendror, përkatësisht në Qeverinë Kurti se ia ka bllokuar projektet kryesore, e madje tha se shkaku i qeverisë i janë bllokuar edhe 20 milionë euro të fondeve të IPA-s.
“E kemi rastin kur ne e kemi shty përpara procesin e dizajnit, kemi paguar, i kemi pasur fondet prej 20 milionë eurove prej IPA-s, por për shkak të nivelit qendror kemi pasur bllokada të fondeve nga komuniteti evropian dhe ne s’jemi ndalur, kemi gjetur alternativë, ku i kemi shtyrë proceset përpara dhe e kemi hapur ‘Reportin House’”, tha ai.