Rama heq një paralele me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, teksa shprehet se rasti i ish-krerëve të UÇK-së e bën të mendojë se një ditë edhe ai, që sot shihet si një hero, mund të shkojë prapa hekurave.“Ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces.
Mbetem i mahnitur në sensin më negativ nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebelimi ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminelë lufte.
Njeri që vetë presidenti i SHBA dhe deri dje një nga figurat kryesore të senatit amerikan, Joe Biden e pagëzoi si George Washington i Kosovës, është sot parapa hekurave. I mbyllur brenda pa akuzë, gjë që është jashtë çdo lloj imagjinate në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare dhe mua më bën të mendoj mos vallë ky duhet të jetë fati i Presidentit Zelensky pas disa vitesh?
Një ditë mund ta shohim këtë hero që të gjithë e admirojmë, prapa hekurave”, tha Rama. Sipas Ramës ajo që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre po kalojnë është diçka e tmerrshme, teksa e konsideroi po aq të vështirë sa lufta që ata zhvilluan me armikun më parë, vetëm se në këtë rast beteja, sipas kryeministrit është me mikun“Ajo që po kalojnë ata është diçka që mund ta përkufizoja me fjalën e tmerrshme, pro nga ana tjetër kanë sfiduar sensin e përgjithshëm edhe më parë, e kanë sfiduar në një mënyrë shumë ekstreme kur kanë menduar të veprojnë për të pavarësuar Kosovën atëherë kur askush nuk e qaste fare si ide.
Diçka heroike që sot shumëkush e harron dhe nuk janë të gjithë ata që e mendojnë sot se pa Hashim Thaçin dhe ata që janë atje, sot askush nga ata që i japin gojës pa fre, nuk do kishin gojë fare sepse nuk do i linte njeri të hapnin gojën. Kjo betejë është e barabartë me betejën me armikun atëherë, edhe pse kjo është tjetër gjë se është betejë me mikun”, u shpreh Rama.
I pyetur në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Rama u shpreh optimist, teksa tha se beson se të dy vendet janë në një fazë pozitive. Edhe njëherë ai theksoi mbështetjen për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ku tha se ky i fundi po bën gjënë e duhur në lidhje me këtë proces.“Takimi i fundit me Albinin më ka bërë të besoj se jemi në një fazë pozitive dhe unë e mbështes plotësisht kryeministrin e Kosovës në këtë përpjekje. Nuk i kuptoj ata që e konsiderojnë tradhtar.
Si kryeministër i Kosovës ai po bën gjënë e duhur dhe unë jam tërësisht në mbështetje të tij dhe të këtij procesi dhe besoj se edhe kjo marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Serbisë ka ndikimin e vet pozitiv në atmosferën e procesit”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.Mijëra qytetarë marshuan sot në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që ndodhen në Hagë, teksa nesër pritet gjyqi. Protesta mori mbështetjen të gjerë të politikës në Kosovë, shoqërisë civile e bashkësisë fetare, ndërsa po ashtu edhe nga politika në Shqipëri