Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të udhëtojë nesër për në Paris të Francës ku do të merr pjesë në Forumin e Paqes.
Rama tha se në Paris do të diskutojë mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza.
“Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës”.
“Ritheksoj, Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit. Megjithatë, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”.
“Në Paris do të theksoj se është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se të dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu, do të theksoj se ndërkohë që Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë shqiptare, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se Rama do t’i kërkojë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, mbështetjen për t’u angazhuar me udhëheqës të tjerë në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia, duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.
“Ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza”.
“Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të asnjë të ardhme politike për Hamasin. Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez”, thuhet më tej në deklaratë.
Rama tutje bëri të ditur se Shqipëria është e gatshmë të bashkë-sponsorizojë rezolutën e nevojshme të Këshillit të Sigurisë së OKB-së për pikat më lartë.
“Me ndërprerjen e të gjithave luftimeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës”, tha Rama