Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur se paga mesatare e mësuesve është 950 euro (bruto), që sipas tij, është në nivelin e vendeve më të përparuara të rajonit.
Komentet Rama i bëri teksa mori pjesë në inaugurimin e gjimnazit “Babë Dudë Karbunara” në Berat, ku paralajmëroi se do të ketë edhe rritje pensionesh.
“Duhet që edhe pensionistët të ndiejnë hap pas hapi drejt Shqipërisë 2030 atë që është plotësisht e ndjeshme në buxhetin familjarë të mësuesve që sot e kanë pagën mesatare 950 euro. Një pagë tanimë në nivelin e vendeve më të përparuara të rajonit tonë.
Berati para se ne të merrnim detyrën ishte një magji e fshehur, një bukuri e mbuluar me shumë re pluhuri dhe e rrethuar me shumë errësirë. Dhe për hir të së vërtetës, një nga shëmbëlltyrat më kuptimplota të degradimit të Beratit, ishte edhe gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”. Por sot Berati është krejt tjetër. Në këtë pikë kam lehtësinë e të thënit të fjalëve më të mëdha, sepse edhe opozita e përfaqësuar nga Kule nuk më kundërshton dot që Ervin Demo i ka dhënë Beratit një shtysë të re. Puna flet ashtu siç flet edhe kjo godinë e re.
E vërteta është që familja ime nga im atë rrjedh nga Berati dhe e sjell këtu në vëmendje këtë sepse stërgjyshi im Kristaq Rama i parë, ishte një patriot i angazhuar në lëvizjen për pavarësinë, me të ardhura mesatare, por shumë i përkushtuar për të financuar ngritjen e shkollave shqipe”, tha Rama.