8.9 C
New York
Wednesday, November 5, 2025

Buy now

Rama: Nuk ikim nga pushteti pa e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se qeveria e tij nuk do të largohet nga pushteti pa e bërë vendin pjesë të Bashkimit Europian. Pas prezantimit të progres-raportit nga BE, në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Rama theksoi se “qeveria që unë drejtoj nuk ikën pa e çuar Shqipërinë në familjen europiane”, duke shtuar se reformat do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet deri në anëtarësim.

“Grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces, sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty çfarë duhet bërë, por ka qenë mirë-stërvitur gjatë epokës së poshtërimit të Shqipërisë. Sot, ne i dimë shumë mirë detyrat.

Jemi i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencën Artificiale në këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE-së për t’u adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Kryejmë me përpikmëri të gjitha ato detyrat dhe analizojmë me shumë durim të gjitha ato që janë të rreshtuara si probleme që duhen adresuar dhe duhen zgjidhur.

Dua të falenderoj nga zemra që të dyja ministret tona, që janë realisht dy arsye të mëdha për t’u ndjerë të qetë dhe për të marrë të gjithë respektin në Bruksel. Nuk dua të zgjatem më tutje, në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet edhe problemet.

Në të gjitha fushat raporti i thotë shqiptarëve që Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër na thotë ne ç’duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë për të ecur pa asnjë ndalesë për të arritur objektivin e vitit 2027.

Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta.

Ndihuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarë, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët.

Mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë, jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së”, tha Rama ndër të tjera.

Të ngjashme

Të fundit