Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte (ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore, si mobilje apo inventar shtëpiak.
Sipas tij, ky lokacion është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre, ndërsa ndodhet në rrugën “Qëndresa”.
Rama ka bërë të ditur se për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë, qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM “Pastrimi” ose ndërmarrjen “Gjelbër”.
Ai ka theksuar se hedhja e këtyre mbeturinave në hapësira publike në Kryeqytet është e ndaluar, ndërsa Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit do të ndërmarrin masa ndaj shkelësve, përfshirë gjoba dhe konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet e hedhjes ilegale të mbeturinave tek autoritetet përkatëse.






