Rama prezanton kandidatët e PS në Vlorë.
“Sot kemi një kalendar të dakordësuar për të mbyllur negociatat në 2027. Do të ishte hera e parë në histori që një shtet në 3 vite hap dhe mbyll negociatat”.
Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatëve të Partisë Socialistë ne Vlorë për zgjedhjet e 11 majit.
“Nëse më 11 maj i japim Evropës mesazhin që e kemi të qartë që duam të jemi në Union, me një shumicë që bën “presion” pozitiv mbi ta është një gjë, por nëse japim mesazh që populli këtu merret me mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe disa nuk e kanë shumë problem integrimin apo jo… Ne nuk kemi pasaportë evropiane, kemi pasaportë që na jep të drejtën e lëvizjes në Europë, jo qëndrimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “është shumë e rëndësishme që ta kemi mirë parasysh se për çfarë flasim, sepse nuk duhet shumë njohuri për historinë e BE-së për të parë që në periudha të ndryshme kohe BE ka pasur sjellje të ndryshme ndaj idesë së zgjerimit të familjes”.
“Ka pasur periudha, momente kur zgjerimi ka qenë një plan strategjik i ekzekutuar me shpejtësi. Ka pasur kohë, siç ka qenë koha që na ka qëlluar ne në këtë periudhë kur zgjerimi për një moment të gjatë është lënë në plan të dytë”.
Madje, shtoi Rama, “Komisioni i mëparshëm Evropian, ai përpara sesa të vinte Ursula von der Leyen me Komisionin e ri e hoqi fare zgjerimin nga agjenda. Deklaroi që në 5 vite nuk do ketë zgjerim dhe bëri një frenim të përgjithshëm të procesit”.
“Sot për arsye gjeopolitike që janë përtej nesh KE dhe BE duan të marrin në familjen e tyre anëtarë të rinj”, tha Rama.
Ky i fundit foli edhe njohjen e pensioneve me Greqinë.
Ai tha se në momentin që vendi anëtarësohet në BE pensionet do të njihen automatikisht për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Ne sot jemi kërkesa pafund nga shqiptarët në Greqi që kanë merakun që tu njihen pensionet si ju njohën atyre në Itali. Me pasaportën e BE, të gjithë shqiptarët në Greqi menjëherë fitojnë të drejtat që kanë grekët në Greqi jo vetëm ju njihen pensionet por bëhen edhe të transferueshme, është njësoj si të shkosh nga Vlora në Shkodër dhe nga Shqipëria në Poloni ose në Spanjë. Ska kufi ddhe asnjë lloj dallimi”.