Përparim Rama, kandidati për kryetar të Prishtinës edhe për një mandat nga LDK-ja, ka thënë se ekzekutivi qendror i ka shkaktuar goxha probleme për të realizuar planprogramin për kryeqytetin.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka përmendur ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, i cili tha se e bllokoi projektin për realizimin e unazës së kryeqytetit.
“Për secilin projekt që kanë mundur të na bllokojnë, na kanë bllokuar, për fat të keq. Për shembull, unaza e kryeqytetit ka qenë projekti i parë që ne e kemi shtyrë përpara, kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës atëherë, ka pasur disa probleme që i kemi zgjidhur shumë shpejt, e kemi sjellë deri në pikën ku edhe Banka Evropiane për Zhvillim i ka ndarë fondet prej 206 milionëve.”
“Pra, kemi arritur që këtë projekt ta fusim si projekt strategjik për këtë pjesë që ndërlidhet me rrugët e Ballkanit Perëndimor, si e tillë, 40 për qind të fondeve kanë qenë falas. E kemi sjellë në pikën ku ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk e nënshkruan dhe thotë se ‘ne këtu nuk jemi për t’i përmbushur projektet elektorale të Përparim Ramës’,” tha Rama.
I njëjti theksoi se kishte dyshuar që Liburn Aliu, ish-ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po i pengonte punën, por e kuptoi që ishte Hekuran Murati.
“Për shembull, me ish-ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun, e di që në diskutimet tona e kam pyetur se pse nuk po nënshkruan ministri i Financave. Më ka thënë: ‘Për fat të keq nuk mundem ta shtyj, se ai nuk po do ta shtyjë përpara, po thotë që pse t’i ndihmojë Përparim Ramës’,” tha ai.