Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar me një koment të gjatë në rrjetet sociale arsyet pse u ndërmor nisma e Këshillimit Kombëtar duke iu drejtuar qytetarëve të japin mendimin e tyre për 12 çështje.
“Kam ndeshur gjatë këtyre ditëve disa që komentojnë këtu, se Këshillimi Kombëtar duhej bërë në fillim të mandatit të parë, jo të të tretit. Sa mirë do ishte që njerëzit t’i dinin të tëra qysh në nisje të çdo pune, po ja që puna na mëson shumë gjëra të reja. Pra kjo nuk është një ide e vjetër, po një praktikë e re e këtij mandati të ri”.
Mosbesimit të disa qytetarëve se përgjigjet e tyre do të merren parasysh nga qeveria, Rama thotë se kjo i duhet lënë kohës.
“Fundja kur ka bërë vaki më parë që qeveria t’i pyesë kaq drejtpërdrejt qytetarët e këtij vendi, shtëpi më shtëpi? Le t’ia japim një shans kësaj përpjekjeje të re, ku të marrurit me politikë nuk është sharje, akuzë, përçarje, tifozllëk, sherr, kush jemi ne e kush jeni ju, po është diskutim me njerzillëk e atdhedashuri, mbi çështje shumë konkrete që kërkojnë vendimmarrje konkrete”,ka thënë Rama.
Kreu i qeverisë fton qytetarët të plotësojnë formularin duke iu bashkuar 164,851 personave që tashmë e kanë dhënë opinionin e tyre./tvklan.al/