Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke kërkuar që të zhbllokohet urgjentisht buxheti i Komunës së Prishtinës, raporton Scanner
Rama tha se sot iu bashkua protestës së punëtorëve të Trafikut Urban, të cilët prej muajsh presin pagat dhe zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ai akuzoi Qeverinë se po e mban peng buxhetin e kryeqytetit për interesa politike.
“Albin, Hekuran, mos rrini në zyra e në xhipa. Hajde takohemi dhe e bëjmë zgjidhjen për punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës!”, deklaroi Rama.
Sipas tij, bllokimi i buxhetit ka lënë punëtorët pa paga dhe qytetarët pa shërbimet bazike që u takojnë.
“Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng. Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që i takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të punëtorëve deri në zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e funksionimit normal të shërbimeve komunale.
Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore që “të mos bëjnë politikë me nevojat bazike të qytetarëve”, duke e cilësuar këtë sjellje si “të pandershme dhe jonjerëzore”.
Postimi i plotë:
Albin, Hekuran, mos rrini në zyra e në xhipa. Hajde takohemi dhe e bëjmë zgjidhjen për punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës!
Sot iu bashkova protestës sepse jam dhe do të jem gjithmonë me punëtorët dhe qytetarët e kryeqytetit. Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng për interesa politike.
Jam me ju punëtorë dhe do të qëndroj në krahun tuaj deri në zgjidhjen e këtij problemi dhe kthimin e shërbimeve që qytetarët meritojnë!
Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që u takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon!
Mos bëni politikë me nevojat bazike të qytetarëve. Është e pandershme dhe jonjerëzore.






