-2.9 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Rama: Gjuha shqipe së shpejti gjuhë zyrtare e BE-së

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vlerësuar Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe si pjesë të rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe. Në fjalën hapëse në Kuvendin “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, Rama ka thënë se gjuha shqipe së shpejti do të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian.

“Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’u mbijetojë sfidave të këtij shekulli, që kërcënojnë gjuhët në tërësi dhe rrënjët e njerëzimit në përgjithësi. Shumë shpejt do të jetë edhe gjuhë zyrtare në BE, ku, në mos gjuha më e lashtë e kombeve europiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre”, ka thënë Rama, siç transmeton “Euronews Albania”.

Rama ka njoftuar se të premten, në Ditën e Alfabetit, do të publikohet drafti i fjalorit të përditësuar të gjuhës shqipe. Sipas tij, ky draft do të dalë për konsultim publik. Ai ka thënë se akademikët kanë për detyrë që ta mbrojnë gjuhën shqipe nga ata që “hedhin hipoteza të paqena”.

“Ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm, pasi jemi nën agresionin e barbarisë dhe lloj-lloj delirantësh injorantësh që gjejnë hapësirë përmes rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të jemi në mbrojtje dhe e kemi detyrim që gjuha të mos degradojë në pikën e moskthimit”, ka thënë Rama.

E ministrja e Arsimit në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka thënë se ky kuvend duhet të shërbejë për shërben ta mbrojtur e për t’u krenuar me trashëgiminë gjuhësore.

Ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci u shpreh se gjuha është thelbi identitar i çdo kombi dhe epiqendra e kulturës dhe traditës së një shoqërie.

“Shqipja është një rast i rrallë i një gjuhe të vogël e mbijetuar mrekullisht, përkundër të gjitha stuhive të kohës me të cilat u përball. Fatmirësisht, sot shqiptarët në të gjitha trojet jetojnë në liri dhe demokraci, një moment ky i përkryer për të punuar së bashku për gjuhën tonë shqipe”, ka thënë Nagavci.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka folur për studimet e popullatave dhe gjetjet arkeologjike ndër vite, e që kanë dëshmuar lashtësinë e popullimit të rajonit. Ai ka deklaruar u takon të gjithëve ta mbrojnë pasurinë kombëtare: së pari nga vetja dhe nga keqpërdorimi a mospërdorimi.

“Këto studime nuk flasin për supremaci të një gjuhe ndaj të tjerave, as të një popullsie ndaj të tjerave, por i japin shqipes e shqiptarëve, historisë së tyre, vendin që iu takon; tregojnë gjithnjë e më qartë rrugëtimin e formimit të etnosit shqiptar e gjuhës shqipe, krahas e në dallim me gjuhët e popujt e tjerë, shkallën e ndërthurjes midis ardhësve e vendësve, e ky proces 6-mijë vjeçar, me zanafillë parailire e parapellazge ka dhënë këtë gjuhë të mrekullueshme me të cilën Kadare diti të shkruajë kryevepra botërore, dëshmi kjo e pasurisë së saj”, ka thënë Gjinushi, transmeton ATA.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka deklaruar se për Qeverinë e Shqipërisë fokusi në këtë aspekt janë shtetet ku ka përqendrim të madh të shqiptarëve që kanë emigruar në gjithë këto vite. Ai ka thënë se janë 719 mësues që japin gjuhë shqipe në shkollat e diasporës.
Kuvendi Kombëtar, i konceptuar si forum diskutimi për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne, e që ka mbledhur zyrtarë, studiues, pedagogë e studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, do të zhvillohet edhe të premten. Kuvendi i Shqipërisë miratoi në shkurt të këtij viti shpalljen si festë zyrtare të Ditës së Alfabetit, që shëmohet më 22 nëntor.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit