Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim, në kuadër të themelimit të Bordit të Paqes.
Këtë deklaratë Rama e bëri të dielën në mëngjes, gjatë Podcastit të tij, ku foli për zhvillimet e fundit në jetën ndërkombëtare dhe për rolin e Shqipërisë në nisma globale. Ai tha se vizita në Uashington lidhet drejtpërdrejt me themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe nisjen e aktivitetit të tij, duke theksuar se Shqipëria do të ketë statusin e shtetit themelues.
Sipas tij, vendi nuk do të kontribuojë financiarisht për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme në këtë bord, por do të japë kontribut përmes reputacionit dhe dinjitetit që ka ndërtuar në arenën ndërkombëtare. Rama e cilësoi këtë si një vlerësim të lartë për Shqipërinë dhe për pozicionin që ajo ka arritur në diskutimet globale mbi të ardhmen e paqes.
Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë iu referua edhe kritikave të mëhershme nga opozita, duke kujtuar reagimet që, sipas tij, kishin vënë në dyshim ftesën apo mundësinë e vizitës. Ai tha se prania e tij në Uashington për këtë ngjarje konfirmon seriozitetin e angazhimit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe rolin e saj në tryeza të nivelit të lartë.
Rama në këtë adresim të së dielës foli edhe për procesin në Hagë. Ai vazhdoi ta quaj ‘prokurorë idiot ndërkombëtarë’, Prokurorin e Dhomave të Specializuar, duke shtuar se akuzat e lexuara nga ai janë një absurditet i madh.






