Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shpalli sot përbërjen e qeverisë së re, pas fitores së mandatit të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Krahas figurave të reja, disa ministra që do të vijojnë të ushtrojnë të njëjtat funksione që mbajnë aktualisht. Cilët janë ministrat që arritën të rezistojnë dhe të mbajnë të njëjtin post?
1.Belinda Balluku – Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Belinda Balluku është konfirmuar sërish në dy postet e rëndësishme që mban: zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Me këtë mandat të ri, ajo vazhdon detyrën që ka mbajtur që nga viti 2019 në ministri dhe nga viti 2022 si numri dy i qeverisë. Balluku njihet për eksperiencën e saj në fushën e transportit dhe energjisë, dhe për kontributin në modernizimin e infrastrukturës kombëtare.
2.Petrit Malaj – Ministër i Financave
Petrit Malaj vijon në detyrën e ministrit të Financave, post që e mban që nga korriku 2024. Me një karrierë të gjatë në sektorin financiar dhe eksperiencë ndërkombëtare, ai do të jetë në qendër të menaxhimit të buxhetit, investimeve dhe reformave fiskale.
3.Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Antikorrupsionin
Adea Pirdeni është rikonfirmuar si Ministre e Shtetit për Antikorrupsionin. E njohur për angazhimin e saj në fushën e drejtësisë dhe administratës publike, Pirdeni do të vijojë të udhëheqë përpjekjet për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në institucionet shtetërore.
4.Majlinda Dhuka – Kryenegociatore për Integrimin në BE
Kryeministri Rama ka rikonfirmuar Majlinda Dhukën si Kryenegociatore për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhuka do të luajë një rol kyç në drejtimin e procesit të negociatave në fazat më delikate dhe vendimtare të integrimit.
5.Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes
Pirro Vengu është një tjetër emër i konfirmuar në kabinetin e ri qeveritar. I emëruar ministër i Mbrojtjes në korrik 2024, Vengu do të vijojë të drejtojë këtë dikaster strategjik, duke u bazuar në eksperiencën e tij në menaxhimin e sektorëve publikë dhe luftën kundër korrupsionit.
Konfirmimi i këtyre ministrave tregon synimin e qeverisë për të ruajtur vazhdimësinë në sektorët kyç si infrastruktura, financat, mbrojtja dhe antikorrupsioni. Në një kontekst ku Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të integrimit evropian, përvoja dhe qëndrueshmëria institucionale mbeten thelbësore.
Ndërkohë kemi edhe disa ministra që qëndrojnë në kabinetin e ri qeveritar, por në detyra të ndryshme nga ato që kanë mbajtur në mandatin e kaluar.
Ministrat që qëndrojnë, por ndryshojnë dikaster
1.Albana Koçiu – Ministre e Brendshme
Pas një mandati në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu kalon në një nga postet më të rëndësishme të kabinetit: Ministria e Brendshme. Ajo sjell në këtë pozicion përvojën e saj në administratë dhe reformën publike, me fokus në ndërtimin e kapaciteteve institucionale.
2.Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
Delina Ibrahimaj, e cila më parë ishte Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, merr drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Me një karrierë të ndërtuar në institucionet financiare të vendit, Ibrahimaj ka si detyrë të shtyjë përpara zhvillimin ekonomik përmes dixhitalizimit dhe përmirësimit të klimës së investimeve.
3.Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit
Një nga figurat më jetëgjata në kabinetet e Edi Ramës, Mirela Kumbaro, lë pas Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Në detyrën e re, Kumbaro pritet të fokusohet në modernizimin e sistemit arsimor dhe përmirësimin e cilësisë së edukimit.
4.Blendi Gonxhja – Ministër i Kulturës dhe Turizmit
Blendi Gonxhja, i cili më parë drejtonte portofolin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të fokusohet tashmë vetëm në Kulturë dhe Turizëm. Me përvojë në administratë dhe sektorin e shërbimeve, Gonxhja ka si detyrë të forcojë lidhjen ndërmjet trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit turistik.