Kryeministri Edi Rama thotë se bashkimi me Europën është si një rrugë me dy korsi, korsia e punës së përditshme të reformave dhe korsia politike.
Gjatë bisedës së zhvilluar në Podcastin e tij ku të ftuar kishte ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila e njeh mirë dhe ka qenë në hapat e rrugës së Shqipërisë drejt BE, Rama tha se hapja e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret” është tejet e rëndësishme dhe sjell përfitime.
“Ky podkast i kushtohet ditës më të rëndësishme, historike, në kuptimin e plotë të fjalës, të misionit tim, qyshse më keni besuar privilegjin e udhëheqjes së Shqipërisë sonë të përbashkët. Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike dhe teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive”, tha Rama.