“Përgjigja ime është nuk ka dorëzim. Po e përsëris nuk ka dorëzim, doni edhe njëherë të them s’ka dorëzim. KM mbetet”.
Kështu presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli të enjten pas takimit të Këshillit të Sigurisë së shtetit të tij në Beograd.
Ai thotë se situata është e komplikuar me ndërrimin e targave të veturave nga ato serbe në ato kosovare RKS.
Për këtë opsionin e fundit ai shton se përkrahet nga shtetet e QUINT-it të cilat s’pajtohen vetëm me afatin që Prishtina ka përcaktuar për konvertim e që është 31 tetori.
Vuçiq thotë se serbët në Kosovë janë gati të marrin targa KS që, sipas tij, janë neutrale ndaj statusit.
E për heqjen e tyre akuzon ministrin që mori këtë vendim më 2020.
“Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, dokumenti është me nënshkrim e vulë. Shihni çka thotë eksperti , shfuqizohet udhëzimi administrativ për regjistrimin e veturave me tabela KS. Menjëherë kjo duhet të ndodh. Kjo është krejt në kundërshtim me marrëveshjet për lëvizjen e lirë që i kemi nënshkruar”.
Paraprakisht Vuçiq priti përfaqësuesit e Listës Serbe. Lideri i këtij subjekti politik, që është ministër në qeverinë e Kosovës, po kërcënon me bllokada.
“Në rast se Prishtina fillon që në mënyrë të dhunshme me ndonjë aksion që ka të bëjë me konfiskimin e makinave me targa KM ne do t’i bllokojmë gjitha kalimet përkatësisht hyrjet nga veriu për në pjesën qendrore të Kosovës. Takimi me presidentin Vuçiq asnjëherë s ka qenë më i shkurtër sesa sot”, ka deklaruar Goran Rakiq.
Minsitri i Qeverisë së Kosovës shtoi se veprimet e tyre do jenë demokratike e paqësore dhe falënderoi Vuçiqin për atë që e quajti përkrahje të parezervë.