Sikurse e kemi mësuar nga mediat sociale prej ditësh Noizy do jetë pjesë e filmit “Trouble Shouters” të Blerim Destanit. Xhirimet e filmit kanë nisur dhe po zhvillohen në Tiranë, teksa një pjesë e tyre do mbahet edhe në Gjermani.
Noizy dhe Blerimi thuhet se do të interpretojnë rolin e dy dedektivëve, teksa pjesë e kastit do të jenë edhe aktorë të njohur shqiptarë, si Rajmonda Bulku, Gëzim Rudi, Zamira Kita, Margent Caushi, etj.
Së fundmi, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, e ftuar në “Wake Up”, foli rreth filmit duke thënë se kur ka shkuar në xhirime ka hapur ‘Google’ dhe ka dëgjuar të gjitha këngët e Noizyt. Sipas saj, Noizy është një djalë shumë i edukuar dhe në sheshxhirimet është një mrekulli.
“Po, për fat jam duke xhiruar. Është film shqiptar, por tërë produksioni është gjerman. Jam me Blerim Destanin dhe Noizy-n. Noizy është djali im. E kur kam shkuar në xhirime, kam hapur në ‘Google’ dhe kam dëgjuar tërë muzikën e Noizy-t. Dhe kur vajta i thashë ‘biri im të dëgjova, të njoha dhe të dua shumë’. Ai është shumë i mirë, djalë shumë i edukuar, në sheshxhirimet është një mrekulli, të dy, me gjithë Blerimin. Blerimin e kam pasur edhe herë tjetër djalë, në film, kështu që është e dyta. Pres të fillojë një serial “Nina” që këto ditë do të fillojë edhe ai, kështu që jam mirë”, tha aktorja e njohur.