8.7 C
New York
Friday, May 23, 2025

Buy now

Rahoveci, kampion i Kosovës për herë të dytë

- Advertisement -

Rahoveci është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Titullin e dytë rresht Rahoveci e fitoi të enjten mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Në finalen e dytë të plejofit, Rahoveci e mposhti Kastriotin vendas me rezultat 34:32.

Rahovecasit e kanë fituar edhe finalen e parë, të dielën.

Ndeshja e dytë ishte dramë e vërtetë. Mysafirët ishin në epërsi të lehtë thuajse gjithë kohën. Por ferizajasit nuk u dorëzuan. Në minutën e 54-t shënuan për 23:22.

Më pas u shkëputën edhe në dy gola, 24:22. Humbën sulmin për shkëputje prej tri golave dhe Rahoveci u kthye. Egzon Gjuka shënoi fare në fund për 26:26.

Ndeshja shkoi në vazhdime nga pesë minuta. Lojtarët e Rahovecit shfaqën më shumë dhe fituan në fund 34:32.

Gjuka e Alban Haziri i shënuan nga shtatë gola te Rahoveci. Nga pesë i shtuan Mali Luzha e Arbios Mushkolaj, ndërsa gjashtë gola, katër nga penalltia, i realizoi Victor Alonso.

Te Kastrioti nëntë gola i shënoi Deniz Terziqi. Pesë i kishte Lulzim Shabani e gjashtë Yassine Henahen, pesë prej tyre nga penalltia. Pritje të shumta sërish kishte Wadi Chebbi.

Të ngjashme

Të fundit