8.3 C
New York
Friday, November 21, 2025

Buy now

Ragip Xhaka me mesazh emocionues për djemtë: Granit dhe Taulant, ju jeni krenaria ime

- Advertisement -

 

Ragip Xhaka, babai i futbollistëve të njohur Granit dhe Taulant Xhaka, ka shpërndarë një mesazh të thellë emocional e plot krenari për djemtë e tij, duke reflektuar mbi rrugëtimin e tyre nga Kosova në Zvicër dhe vlerat me të cilat janë rritur.

Në mesazhin e tij, Xhaka thekson se çdo vendim në jetë e ka marrë duke menduar për të ardhmen e tyre dhe për mënyrën se si ata do të formoheshin si njerëz të drejtë, të ndershëm e të fortë.

“Çdo hap që kam hedhur nga Kosova deri në Zvicër, çdo vendim që kam marrë, e kam bërë duke menduar për ty dhe për Taulantin,” shkruan ai, duke shtuar se synimi i tij ka qenë t’i mësojë të përballen me sfidat dhe sakrificat e jetës.

Ragip Xhaka u shpreh krenar për karakterin e tyre, për vlerat familjare dhe për mënyrën se si ata i qëndrojnë besnikë atdheut të të parëve. “Ju jeni dhe do të mbeteni dy zemrat e krenarisë sime,” përfundon ai.

Mesazhi i tij ka ngjallur reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë vlerësuar lidhjen e fortë familjare të familjes Xhaka dhe edukimin që ai u ka dhënë djemve të tij.

Postimi i plotë:

Lideri dhe kapiteni im, Granit,

Çdo hap që kam hedhur nga Kosova deri në Zvicër, çdo vendim që kam marrë, e kam bërë duke menduar për ty dhe për Taulantin.
Pse?
Sepse desha që ju të rriteni të drejtë, të ndershëm, të fortë dhe të paepur. Desha t’ju mësoj të përballeni me çdo sfidë dhe çdo sakrificë, dhe ju e keni bërë këtë me nder e me karakter.

Jam krenar, biri im.
Desha që ta donit veten, familjen dhe atdheun e të parëve tanë dhe ju e bëni këtë çdo ditë.
Ju mësova si luftohet e si qëndrohet përballë më të këqijve, dhe sa herë ua solli jeta beteja të vështira, ju u ngritët më të fortë.
Sa herë që dikush nuk ju ka dashtë, ju keni falenderuar. Dhe në fund, ju prapë ju kanë dashtë sepse zemra e madhe fiton gjithmonë.

Për gjithçka që jeni dhe gjithçka që keni bërë, unë jam krenar pa masë me ju.
Ju jeni dhe do të mbeteni dy zemrat e krenarisë sime.

Me shumë dashuri,
Babi

Të ngjashme

Të fundit