Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për rritjen e pagës minimale deri në 500 euro, duke e cilësuar procesin si të ngutshëm dhe të pa konsultuar me komunitetin e biznesit.
Në Tëvë1, Rafuna tha se bizneset nuk janë kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojnë që ajo të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme.
“Ne si përfaqësues të biznese e kemi pas të nevojshme që të konsultohemi me anëtarët tonë dhe të shohim se cilat do të jetë paga minimale, për shkak se nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, mirëpo cila do të jetë. Gjithashtu, cilat do të ishin mundësitë më të mira, që mos me u dëmtua në asnjë formë as biznesi dhe as punëmarrësi. Sepse, me këtë veprim që është bërë sot, në qoftë se shkohet në këtë mënyrë siç është propozuar sot me siguri që më së shumti do ta pësojnë punëtorët, për shkak se nuk do të kenë mundësi disa biznese që ta realizojnë pagën prej 500 eurove, ose 425 prej muajit janar, siç e kanë vendimin qeveria”, deklaroi ai.
Ai shtoi se mungesa e konsultimeve dhe transparencës në proces bie ndesh me ligjin për themelimin e Këshillit Ekonomiko-Social, ku përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëmarrësve duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Duke parë që nuk ka pasur seriozitet në procedurë dhe transparencë të plotë, ne nuk kemi qenë pjesë e vendimmarrjes dhe nuk e përkrahim këtë mënyrë të marrjes së vendimit brenda ditës”, tha Rafuna.
Qeveria në detyrë miratoi të premten buxhetin për vitin 2026, me vlerë rreth 4 miliardë euro. Përveç rritjes së pagës minimale nga 350 në 500 euro, buxheti parasheh edhe rritje të pensionit minimal dhe shtesave për fëmijë.





