Milan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist të armatosur të Serbisë më 24 shtator të vitit kaluar në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, mësohet se ka filluar të zbatojë një fushatë të egër dhune ndaj serbëve që i dalin kundër politikave të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Sipas burimeve të RTK-së, ngjarja ka ndodhur në hotelin “GREY” në Kopaonik, që është pronë e Milan Radoiçiqit.
Ky vend, sipas burimeve të RTK-së nga institucionet e larta të sigurisë, është kthyer në një vend torture për serbët nga Kosova që nuk veprojnë sipas udhëzimeve dhe urdhrave të Vuçiqit.
Millan Radoiçiq kishte pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023 dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite, ku nga terroristët serbë, në kryerje të detyrës ka rënë polici, Afrim Bunjaku.
Millan Radoiçiq dhe të dyshuarit që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, së fundi janë shpallur në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.
Pas sulmit terrorist në Banjskë Radoiçiqi është futur edhe në listën e të kërkuarve nga INTERPOL, kurse kohë më parë, SHBA dhe Britania e Madhe e kishin vendosur në listën e zezë.
Milan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist, i ka nxjerrë telashe të mëdha edhe politikanit serb, Nikola Sanduloviq. Politikani opozitar ishte arrestuar dhe rrahur nga BIA serbe më 3 janar të këtij viti.
Aty më kanë vënë në gjunjë dhe më kanë mbajtur këmbë e duar e kanë vazhduar të më rrahin. Në atë moment kam parë sigurinë e madhe, kam parë edhe Radoiçiqin, i cili ka qenë prezent aty. Kanë qenë edhe 5 persona civilë të cilët kanë bërë filmimin e agresionit ndaj meje”, kishte deklaruar Sanduloviq.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, autoritetet në Serbi ende nuk kanë bërë progres në hetimin e kësaj ngjarjeje.
Edhe senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, ditë më parë nga Konferenca e Munihut, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.