Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se vendosja e barrikadave është bërë ritual i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kur dëshiron të arrijë ndonjë qëllim në politikë.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se Kosova duhet të kthehet në tavolinën e dialogut, duke kushtëzuar largimin e barrikadave.
“Puna e barrikadave është bërë si rituale, apo si festë e Vuçiqit sa herë që dëshiron të arrijë një qëllim politik të tij, i ka disa persona që çuditërisht vetëm në veri po ndodhin, nuk po ndodhin as në rajonin e Gjilani, as në Shtërpcë dhe as në Graçanicë ku jetojnë shumica e serbëve, nëse ai do të duhej të kujdesej për serbët, janë serbët e njëjtë nuk ka dallim mes serbëve të veriut dhe të jugut”.
“Fatkeqësia kësaj radhe është se nëse vazhdohet përsëri të negociohet për heqjen e barrikadave, kjo ka me qenë fatkeqësia më e madhe që mundet me na ndodh tani. Rikthimi i Kosovës në tavolinën e dialogut duhet të jetë vetëm me një kusht, heqjen e barrikadave. Pse? Sepse Kosova i bëri dy hapa para në momentin e çështjes së targave dhe shtyrjen e afatit të zgjedhjeve. Kosova e kreu misionin e saj iu përgjigj pozitivisht kërkesës së ShBA-së dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Raci.