Kuvendi i Kosovës të enjten u bë arenë e përleshjes së qeveritarëve e deputetëve, në seancën që zgjati deri në orët e vona, raporton Ekonomia Online.
Gjithë këto zhvillime në organin legjislativ i kanë pa me shqetësim qytetarët që i quajnë këto veprime të turpshme madje thonë se “e gjithë bota po qesh me ne”.
Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.
U deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare, por edhe pas pauzës përsëri pati tensione në Kuvend, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.
Tensionet në Kuvendin e Kosovës vazhduan ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin edhe forcat e sigurimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë krye temë e medieve botërore.