Shkruan: Blerim Canaj
Në një kohë kur lufta në Ukrainë sikur nuk ka fund, konflikti Izrael–Iran ka kaluar në përplasje të drejtpërdrejtë SHBA–Iran e Lindja e Mesme po digjet gjithnjë e më shumë, nga deklarimet e politikanëve të caktuar e të kontestuar sikur po i prihet që diçka të ndizet shumë afër nesh — në veri të Kosovës.
Deklaratat e fundit të Vuçiqit për armatime të fshehta, të kombinuara me pohimet e ministrit Sveçla për zbulimin e armëve të gatshme për një njësi të tërë, duken sikur janë pjesë e të njëjtit skenar, një lojë tensioni që u shërben të dy palëve: për të mbajtur vendet e tyre në ankth, dhe për të ruajtur pushtetin personal me çdo kusht.
Një përplasje e armatosur në veri të Kosovës nuk do të ishte vetëm një rrezik për paqen, por edhe një strategji politike për të mbajtur në pushtet dy liderë të kontestuar: Vuçiqin në Beograd dhe Albin Kurtin në Prishtinë.
Një konflikt i tillë do të ishte edhe “pagëzimi historik” i Kurtit – një përballje e cila, në logjikën e pushtetit, do t’i mundësonte atij të hynte në histori si “lideri i luftës” përkrah apo edhe mbi figurat simbolike si Rugova, Thaçi, Veseli e të tjerë! Një rrugë e shpejtë për të siguruar mbështetje për të “tejkaluar zgjedhjet” dhe për ta ruajtur pushtetin me logjikën e emergjencës kombëtare — siç ndodhi me Zelenskin.
Nuk e besoj që qytetarët tanë kanë nevojë për liderë që hyjnë në histori përmes flakëve, por përmes mençurisë dhe guximit për paqe.
Mendoni se historia po përsëritet? Apo jemi ende në kohë të ndalojmë këta lojtarë të rrezikshëm?
#Kosova #Serbia #Vuçiq #Kurti #Ballkani #PaqeJoLuftë #highlights