26.7 C
New York
Tuesday, September 30, 2025

Buy now

Qytetarët ankohen se s’po mund ta përballojnë koston mujore

- Advertisement -
Agjencia e Statistikave ka njoftuar të martën se në gusht çmimet ishin për 4.5 për qind më të larta krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Për shtrenjtimet e përditshme të produkteve u ankuan edhe disa qytetarë, sipas të cilëve situata mund të rëndohet edhe më shumë gjatë dimrit, pasi do të rritet konsumi i rrymës, e bashkë me të edhe faturat

Me pensionin që merr, Tahir Krasniqi thotë se nuk mund ta përballojë koston mujore të shpenzimeve.
Ai ankohet se rritja e çmimeve të produkteve bazike ka rënduar jetesën e secilit, e tani druan se situata do të bëhet më e vështirë kur në dimër shpenzohet më shumë energji elektrike.

“Të ushqimit deri diku po, ndërsa sa i përket rrymës është pak e tepërt, jo pak por mjaft shumë e tepërt se tash sezoni i dimrit me këto klima që i kemi inshallah ia dalim. Çmimet e ushqimeve tash për tash janë të papërballueshme”, ka thënë Krasniqi për “Ekonomia Online”.

Ai thotë se të ardhurat mujore janë të pamjaftueshme.

“Mos me qenë ndihma prej tjetërkah, me siguri nuk kishim mujtë me ia dalë”, ka deklaruar ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, çmimet gjatë muajit gusht të këtij viti u rritën për 4.5 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

E qytetari Shaban Shabani thotë se derisa çmimet po rriten, nuk ka rritje edhe të pagave.

“Me zor po mundemi me i përballu çmimet e ushqimit se nuk i kemi krejt, pagat e vogla, çmime shumë të shtrenjta, nuk po mundemi veç qishtu po shkojmë. Çmimi i energjisë elektrike është i lartë, po diqysh po e përballojmë”, ka thënë Shabani.

Rritje e çmimeve ndër vite janë evidentuar edhe në raportin e Agjencisë së Statistikave, i publikuar të martën.

Sipas raportit, një kilogram miell më 2020 kushtonte 49 centë, ndërsa më 2024, 80 centë. Rritje u shënua edhe te vaji i lulediellit. Një litër vaj më 2020 kushtonte 1 euro e 8 centë, ndërsa më 2024, 1 euro e 42 centë. E në gusht të këtij viti, një litër vaj mesatarisht ka kushtuar 1 euro e 69 centë.
Çmimet janë rritur edhe për vezët, kafen dhe çajin.

E, lëvizje është shënuar edhe te pagat, ndonëse jo me përqindjen sa janë shtrenjtuar produktet.
Në vitin 2020 paga mesatare ishte 466 euro, ndërsa më 2024, ajo ishte 639 euro apo 173 euro më shumë.

Nga maji i këtij viti qytetarët janë përballur edhe me rritje të re të çmimit të energjisë elektrike për rreth 16 për qind. Një rritje e mundshme është paralajmëruar për në dhjetor.

Edhe dalja në treg të hapur e energjisë e 1.300 bizneseve nga qershori i këtij viti ka ndikuar në rritje të çmimeve.

Të ngjashme

Të fundit