Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha në Kuvendin e Kosovës se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e kishte shkelur ligjin duke e shkarkaur diplomatin Viskont Jakupi dhe duke e kthyer nga Londra brenda 24 orëve. Jakupi për këtë ka nisur një betejë ligjore ndaj MPJ-së.
Quni shpjegoi në Kuvend se si Jakupi ishte vendosur në Londër dhe se si ishte urdhëruar të kthehej në Kosovë me një vendim të Gërvallës, të cilin ai e quan arbitrar, të çuditshëm dhe skandaloz, raporton Gazeta Express.
Sipas Qunit, ai fillimisht u përball me presionin për ta lëshuar hotelin dhe për ta gjetur një banesë, për të cilën ishin angazhuar stafi i ambasadës.
“Në fund të muajit gusht të vitit 2021, diplomati i karrierës, Viskont Jakupi, me gradën sekretar i parë, nga komisioni i rrotacionit i MPJ-së, ishte rekomanduar për të shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Britaninë e Madhe. Më 11 tetor 2021, ai bashkë me familjen e tij udhëtoi për në Londër duke u vendosur në një hotel të rezervuar nga ambasada dhe menjëherë me kolegër ambasadës kishin filluar të kërkojnë banesë. Por duke ditur çmimet e larta të qirasë në Londër, qysh në fillim nënkuptohej se me shumën sa lejohet nga Ministria, ishte e pamundur të gjendej një banesë adekuate. Në këtë situatë, diplomati Jakupi u përball edhe me presion që ta lëshonte sa më shpejt hotelin ku ishte vendosur. Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe, ambasada përmes një agjencioni, kishte gjetur një banesë në një zonë që nuk preferohet për banim për diplomatë për shkaqe sigurie”, tha ai.
Quni tha se për shkak të çmimit, presionit për ta lëshuar hotelin dhe sistemimit të familjes e fëmijëve, ishte pajtuar me përzgjedhjen e ambasadës.
“Komisioni i krijuar nga ambasada ia dërgon kërkesën sekretares për aprovim, mirëpo përgjigjja ishte që ai duhet ta paguajë vetë një pjesë të qirasë. Ndërkohë e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër i shkruan ministres dhe kërkon që ajo të ndërhyjë. Përgjigjja e ministres përmes sekretares ishte e prerë: Nuk lejohet assesi, është shkelje”, tha Quni.
Nënkryetari i LDK-së thotë se Gërvalla ia kishte kërkuar personalisht Jakupit adresën e banesës në të cilën s’ishte vendosur ende. Pasi e kishte marrë përgjigjen, e kishte shkarkuar.
“Më 10 nëntor, ministrja Gërvalla i shkruan e-mail diplomatit Jakupi duke ia kërkuar adresën e banesës së cilën ende nuk e kishte marrë. Ashtu siç ia tregojnë stafi, ai i përgjigjet ministres Gërvalla. Ministrja merr një vendim arbitrar, të çuditshëm dhe skandaloz, duke lëshuar vendimin për tërheqje të menjëhershme, që brenda 24 orëve Viskont Jakupi të kthehet në Kosovë”, tha Quni.
Ai tha se pas kësaj, diplomati Jakupi u kthye në Kosovë me “shumë komplikime”.
“Pas kthimit, atij i sqarohet se adresa e banesës ka qenë e pasaktë. Ai, përveç procesit ligjor, bën ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ku dy herë fiton betejën ndaj ministres”, tha Quni.
Deputeti tha se vendimi i Gërvallës ishte konsideruar i jashtëligjshëm, pasi Këshilli kishte thënë se ajo nuk ka kompetencë t’i tërheq diplomatët në atë mënyrë.