-7.5 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

QUINT-i bën thirrje për zgjidhje demokratike në veri të Kosovës

- Advertisement -

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Përmes një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Deklarata e QUINT-it erdhi një ditë para se kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të bëjë betimin në ndërtesën e kësaj komune.

Duke theksuar nevojën për të shmangur veprimet apo iniciativat që nuk u shërbejnë interesave të popullit apo përkeqësojnë tensionet, deklarata e përbashkët thekson se kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale duhet të përmbahen nga ushtrimi i kompetencave përtej mandateve të tyre administrative.

Në deklaratë, vendet më me ndikim nënvizojnë se procesi i marrjes së detyrës nuk kërkon që kryetarët e bashkive të bëjnë betimin në zyrat komunale dhe se “nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – as nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet”.

“Të gjitha palët e përfshira u kërkohet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose ndërmarrja e veprimeve që ndezin tensionet ose nxitin konfliktet”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e QUNIT-it, duke theksuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, potencuan nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dalja në zgjedhje në komunat veriore të Kosovës ishte pak më shumë se 3 për qind, dhe dy komuna u fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqjen e dy të tjerave i morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit