Eksperti i ekonomisë Adem Qorrolli ka folur për deklaratat akuzuese mes Komunës së Prishtinës dhe ministrit në largim të Financave, Hekuran Muratit, për çështjen e bllokimit të buxhetit.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka thënë se çështja e buxhetit do të duhej të ishte zgjidhur muaj më parë.
Sipas tij, nuk pati interesim nga Qeveria në detyrë që ta zgjidhte këtë problematikë.
“Por realisht e vetmja luftë që u ka mbetur institucioneve shtetërore është që tashmë buxhetet komunale kanë dalë në sipërfaqe; jo vetëm Komuna e Prishtinës, por edhe komunat e tjera kanë probleme. Sepse proklamimet buxhetore nuk bëhen në orën 04:00 ose 05:00 dhe të arsyetohesh që deri të hënën nuk ka buxhet”.
“Përderisa Komunës së Prishtinës i është dashur t’i rilokohet buxheti që nga 1 tetori, përderisa nuk është votuar, unë për herë të parë do ta përkrah komentimin e kryeministrit në detyrë, i cili ka thënë ‘nëse formohet Kuvendi atëherë unë jam fajtor’, sepse i takon qeverisë. Përderisa kemi pasur qeveri në detyrë dhe është formuar Kuvendi, shihet se nuk ka pasur disponim nga ata”, ka thënë Qorrolli.






