Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorolli ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese për sa i përket Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se është e paprecedentë që për 20 muaj të mbahet në sirtarët e saj, teksa për procese politike siç thotë ai “i japin zorr për dy – tre javë me i kry”, raporton Ekonomia Online.
“Jemi në 23 tetor, nëse jam në matematikë i mirë, na juristët kemi telashe me matematikë, prej 21 shkurtit 2024 janë 20 muaj e dy ditë që byroja ndodhet në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, e paprecedent në historikun prej themelimit të Gjykatës Kushtetuese, që një reformë neve na ka marrë gjysmën e mandati për me kriju dhe gjysmën e mandati po presim me marrë përgjigjen e kësaj gjykate. Kjo është gjë e paprecedentë, ne nuk mund të bëjmë asgjë, vetëm se me rrit presionin pozitiv dhe te ketë kritikë konstruktive, në mënyrë që mos me besu që ata janë do njerëz që janë mbledhë në një konklavë në lagjen Pejton të Prishtinës dhe mendojnë që me mbajt dhe 2-3 vjet. 20 muaj janë shumë, e të pajustifikueshme. Qysh po i japin zorrë për këto procese politike për dy tre javë me kry aktgjykime edhe aty për dy tre muaj e kishin kry. Do ta rrisim presionin pozitiv sepse përveç fjalës nuk kemi mekanizma tjerë, ose shpalle kushtetuese ose jo kushtetues s’ka situata bardh e zi”, tha Qorrolli në diskutimin mbi temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve” të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ku u tha se një përqindje e madhe e qytetarëve vlerësojnë se personave me ndikim politik kanë pak gjasa të ndëshkohen nga ligji dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i ndikuar politikisht.
Ai ka thënë edhe se drejtësia nuk është pronë as e qeverisë, as e gjykatave e prokurorisë por pasuri e përbashkët shoqërisë sonë dhe neve na takon a mbrojmë me fanatizëm më të madh.
Madje ai thumboi edhe prokurorët e gjyqtarët, teksa fliste për Vettingun.
“Ju e dini dhe gjithë e dinë dhe qytetarët besoj e kanë kuptuar tashmë, sepse ne për dallim nga gjyqtarët ë prokurorët jemi më shumë në media e do t’i themi sa herë të na jepet rasti që plani i amendamenteve kushtetueseve për shkak të dizajnit tonë kushtetues është në këtë moment problematik për tu kaluar në mënyrë që ai pastaj të krijojë mekanizmat e tij. Duhet me bo amendamente, duhet 2-3 e dyfishta dhe në këtë moment e kemi të pamundur, për mos me thënë të parealizueshëm por shpresojmë që do të ndodhë. Ndërkohë ka kalu në pakon ligjore që e pret Kuvendin e ri”, u shpreh Qorrolli.
Teksa flet për cështjen e drejtësisë në Kosovë, Qorrolli thekson se Vettingu “ndoshta është keqkuptuar në nivelin laik të fjalës”.
Ka një ndryshim të rrënjësishëm në këtë aspekt, ku për herë të parë drejtësia në Kosovë nuk po e shmang përgjegjësinë e vet, duhet të jep dhe po jep më shumë llogaridhënie. Në mars të këtij viti kam qëndruar në Venedik, ku në Komisionin e Venecias ne kemi marrë dritën jeshile që ligjin për statutin performancë të gjyqtarëve e prokurorëve ta jetësojmë. Tani jemi në një situatë të ngërçit politik por besoj kur të themelohet Kuvendi i ri dhe të vijojë punën e tij, normalisht që kjo pako që u bë me konsensusin e plotë të KGJK e KPK të kaloj procedurat dhe do të jetësohet. Ky nuk është ndonjë plan B i Vettingut, që qytetarët do të mund të besojnë, okej se Vettingu ndoshta është keqkuptuar në nivelin laik të fjalës sepse mendojnë njerëzit se kur do të shohin disa koka të prera figuritivisht që në Shqipëri si ta shohin gjyqtarin, prokuror ose ndonjë titull medial se filan fisteku nuk është më gjyqtar sepse nuk kanë arritur me justifiku, ai, gruaja e tij apo vëllai pasurinë dhe të shkojë në shtëpi. Ne nuk kemi synuar kurrë me bë atë, ne kemi synuar bashkërisht dhe me zotin Kelmendin e zoti Zogaj nga KGJK që të bëjmë një lloj Vettingu i cili do t’i rezistojë kohës dhe do të jetë empirik në kuptim të fjalës”, theksoi ai.
Në raporton e GLPS-së, ku në anketën ku u përfashinë 1065 qytetarë, rezulton se rreth 76% e qytetarëve vlerësojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji.
Por zëvëndësministri në detyrë i Drejtësisë, thotë se nuk është itharë i statistikave.
“Raportet si ky i sotëm janë analiza më e mirëfilltë apo pasqyra më e drejtë që qytetari do të ketë para vetës dhe ku ne si politikë por edhe institucione të drejtësisë duhet të mësojmë dhe të lexojmë të vërtetën ashtu sic është dhe pa kompromis. Kur flasim për performancën e sistemit të drejtësisë, përgjithësisht këtu kur flas në togfjalëshin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor duhet të jemi të sinqertë maksimalisht dhe ne kemi këtë detyrim para qytetarëve të cilët në përgjigjet ndaj jush mund të jenë të sinqertë, dhe jot ë sinqertë ose pjesërisht…do të duhet të ketë, jo një raport të madh disproporcioanl ku e ka, sot ku i beson më shumë politikës sesa drejtësisë, unë do të jem ithtar para së gjithash t’i besoj më shumë drejtësisë se politikës, te ne është e kundër. Ju si shoqëri civile dhe ne si akter insitucional duhet të punojmë më shumë për të përmbysur këtë. Unë nuk jam shumë ithtarë i statistikave, suksesi nuk matet vetëm me to janë pjesë e pashmangshme edhe i gjykatave, prokurorive por edhe neve si politikë ose qeveri. Por megjithatë statistikat do të duhej të lihen anash në mënyrë që drejtësia të matet me ndjenjën e drejtësisë që përjeton qytetari. A është qytetari i kënaqur me këtë drejtësi që ne e prodhojmë? Unë si pedagog i drejtësisë në Universitet e përdori shpesh një thënie, “drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet, ajo duhet të shihet që po bëhet”. Midis këtyre dy raporteve të të bërit, se drejtësia bëhet në Kosovë, por a është mjaftueshëm e pashme, e verejtshme? Dhe mendoj që jo, nuk po shihet sa duhet kjo drejtësi”, tha ai.