Salla “1 Tetori” në Prishtinë u mbush mbëmë me mijëra artdashës, teksa Alban Skënderaj ngriti siparin e ciklit të tij të parë prej katër koncerteve radhazi, një seri muzikore shumë e pritur nga publiku kosovar.
Me skenografi elegante, tinguj live dhe një publik që e priti me duartrokitje të gjata, Albani solli një atmosferë të jashtëzakonshme që që në minutat e para.
Koncerti mori edhe një nuancë të thellë emocionale. Në një moment të veçantë, mes dritave të zbehta dhe një qetësie të plotë, Albani ndaloi performancën për t’i kërkuar publikut një minutë heshtje në nderim të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë ditë më parë në moshën 40-vjeçare.
Foto: Telegrafi
Në ekran u shfaq portreti i Shpatit, ndërsa salla u ngrit në këmbë për të nderuar kujtimin e tij. Ishte një moment prekës, që preku zemrat e të gjithëve.
Pas homazhit, atmosfera u rikthye në ritme energjike, ndërsa Albani vazhdoi të interpretojë hitet e tij të njohura që prej vitesh shoqërojnë publikun shqiptar. Interpretimi i tij i fuqishëm dhe komunikimi i ngrohtë me publikun e bënë mbrëmjen edhe më të veçantë.
Interesimi për këtë cikël koncertesh ka qenë i jashtëzakonshëm, duke konfirmuar edhe një herë pozicionin e Albanit si një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të muzikës shqiptare.







