Klinika e ortopedisë aktualisht është e furnizuar mirë me material të protezave mirëpo në mungesë të anesteziologëve zor që po arrijnë ta zvogëlojnë listën e pritjes për operacione të tilla.
Nga përditësimi i fundit mbi 900 pacientë janë në pritje për vendosjen e protezave në gju e kërdhokull dhe për intervenim të ligamenteve.
E, për herë të parë QKUK po e nis një praktikë të re për të cilën thonë se ka ligjshmëri. Do të kontraktojnë një anesteziolog përmes tenderimit ku do të merret vetëm me listën e pritjes.
Drejtuesi i kësaj klinike, Xhavit Gashi tregon për specifikat e këtij tenderi, parashihet që të kryhen 2 intervenime në ditë, 10 në javë dhe 400 brenda vitit. Gjithsejtë 800 operacione brenda 2 vitesh ku sipas ortopedit Gashi, rrjedhimisht nuk do të ketë pothuajse listë të pritjes.
Anesteziologu që do ta fitojë këtë kontratë do të paguhet 32 mijë euro për 2 vjet ku do të paguhet në bazë të numrit të rasteve operative.
Përkundër që kjo klinikë ka 4 salla, ka vetëm 1 anesteziologë permanent dhe 2 të tjerë që kanë angazhime edhe në klinika tjera.
Drejtori i ortopedisë thotë se përkundër kësaj, aktualisht po arrijnë ti kryejnë edhe 7-8 intervenime nga lista e pritjes për proteza.
Anise më herët ishte menduar që për listat e tilla të angazhoheshin dhe paguheshin shtesë anesteziologët e punësuar brenda QKUK-së por pa u zyrtarizuar ndonjëherë.