Punohet vetëm nga ora 07:00 deri në ora 15:00.
Më vonë pacientët nuk mund të shkojnë në repartin e pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Ndërsa gjatë vikendit ky repart mbyllet.
Kjo pasi gjatë këtij muaji një pediatre doli në pension.
Po ashtu, si pasojë e mungesës së pediatërve të specializuar dhe në bazë të udhëzimit administrativ, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, nuk mund të ketë zëvendësime të reja.
Madje zëvendësdrejtori i QKMF-së, Rrezart Halili shprehet se varësisht nga mosha e pensionimit ndodh që edhe mund të mbyllet pediatria në QKMF.
Por, Halili thotë se mjekët familjarë kanë kompetenca të mjaftueshme që t’i trajtojnë këto mosha.
Televizioni ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, mirëpo të njëjtit thanë se për këtë ka përgjigje vetëm QKMF në Prishtinë.