3 C
New York
Monday, January 13, 2025

Buy now

Qiraja e institucioneve | Qeveria “Kurti” pagoi mbi 30 milionë € për 3 vite

- Advertisement -
Rreth dhjetë milionë euro të buxhetit të shtetit të Kosovës janë shpenzuar vetëm për pagesa të qerave për objektet publike gjatë periudhës nëntë mujore, janar-shtator 2024.

Krahasuar me vitin paraprak, atë të vitit 2023, gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2024 shteti ka shpenzuar  1.2 milionë euro (16%) më shumë nga buxheti për pagesa të qeras për objektet publike.

Gjatë periudhës janar-shtator 2023 shteti kishte shpenzuar 8.37 milion euro për qeratë publike, derisa gjatë vitit 2024 është rritur kostoja, duke shpenzuar 9.67 milion euro.

Ndërsa gjatë nëntë mujorit të vitit 2022 ishin shpenzuar mbi 10.1 milionë euro për qiratë e institucioneve.

Por jo vetëm kaq, krahas rritjes së pagesës për qeratë, gjatë vitit 2024 është rritur edhe shpenzimi i tatimit në pronë. Prej 128% krahasuar me vitin 2023 që ishte 130 mijë euro,  tani shpenzimi për tatimin në pronë është 300 mijë euro.

Ferat Shala: Qeveria Kurti ka ngritur shkallën e shpenzimeve të qerasë

Ferat Shala, nga PDK,  ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e qirave të shtrenjta të institucioneve shtetërore.

Ai theksoi se një nga premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës ishte reduktimi i këtyre shpenzimeve, por tha se ky proces nuk është ndërprerë dhe madje është intensifikuar.

‘’Njëri nga premtimet apo si me thënë fushatë e egër që VV e ka pasur sa ka qenë në opozitë, ka qenë qeratë e shtrenjta që institucionet e shtetit i ka paguar. Ne kemi pritur dhe kemi dëshiruar që ky proces të ndërpritet, por Qeveria ka vazhduar me të njëjtin avaz, ka vazhduar me të njëtën lojë.’’ thotë ai,

Sipas Shalës, Qeveria ka vazhduar me “të njëjtin avaz”, duke rritur shkallën e shpenzimeve për qera dhe duke i paguar ato pa ndonjë kontroll apo plan afatgjatë.

‘’ Ka ngritur shkallën e shpenzimeve të qerasë që më parë s’ka qenë. Shumë mjete janë shpenzuar për qera-dhënie të objekteve, e tash disa institutcione do të duhej të ishin vendosur, në objektet’’ thotë ai.

 

Ai shtoi se shumë mjete janë shpenzuar për qiradhënie të objekteve, ndërkohë që disa institucione duhej të ishin vendosur në një lagje të planifikuar nga Qeveria e tyre, ku do të mund të licensoheshin lejet dhe të ndërtoheshin objekte për këtë qëllim.

‘’Ne kemi pas planifikuar dhe kemi pasur tentuar të licensohen gjitha lejet dhe të ndërtohet një lagje ku do të vendoseshin gjitha institucionet’’ potencoi Shala.

Shala e cilësoi këtë një dështim të Qeverisë aktuale, duke pohuar se vazhdimi i shpenzimeve të mëdha për qira është një “derdhje parash në drejtim të panjohur”.

‘’Fatkeqësisht kjo është ndërprerë dhe nuk është realizuar nga kjo Qeveri dhe si rezultat sot kemi këtë shumë qera dhënie. Qeveria ka vazhduar të paguaj kosto të mëdha për të paguar qera dhe po vazhdohet derdhja e parave në drejtim të panjohur’’ përfundoi Shala.

Ish-ministri i Financave: Qeveria “Kurti” edhe objektet me qira i merr me tender njëburimor

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për rritjen e shpenzimeve në lidhje me qiratë publike dhe menaxhimin e parasë shtetërore.

Ai theksoi se premtimet që Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë gjatë fushatës nuk janë realizuar dhe se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka rritur shpenzimet për mallra dhe shërbime, përfshirë qiratë, duke i dyfishuar ato krahasuar me vitin 2020.

‘’ Nuk ka gjë të re. Gjitha premtimet që i ka thënë nuk i ka realizuar. Sa i përket shpenzimeve që lidhen me mallrat dhe shërbimet, ku hynë edhe qeraja, Kurti i ka rritë gati i ka dyfishu me vitin 2020, para se me marr ai mandatin’’ tha Shatri.

Shatri e quajti këtë një luks të papranueshëm, duke e krahasuar me kritikat që Kurti kishte bërë kur ishte në opozitë.

‘’Atë farë luksin që dikur e ka kritiku sa ishte në opozitë, tash e ka dyfishu dhe brenda kësaj ato i ka rritë në mënyrë enorme’’ deklaroi ai për FrontOnline.

Ai shtoi se negociatat për qira janë bërë përmes tenderëve njëburimor, ku janë hequr kriteret dhe janë bërë pazare për përfitime personale, duke i shpërdoruar paratë publike për interesat e ngushta të grupit të pushtetit.

‘’Edhe qeratë kur bëjnë negociatat përmes tenderëve njëburimor, duhet me shpall tender, për me i pa kushtet, por këta i kanë heq ato kritere dhe kanë hyrë në pazare sepse duhet me mbetë një pjesë prej pazarit që me i nda mes vete. Paranë publike po e shfrytëzon për qëllime dhe përfillime për grupin e vet dhe pa asnjë kriter’’ përfundoi Shatri.

Njohësi i ekonomisë: Qeveria Kurti ‘’theu’’ rekordin sa i përket pagesave të qirave për shfrytëzimin e objekteve për institucionet shtetërore

Arton Muhaxheri, njohës i ekonomisë, ka theksuar se kritikat e Albin Kurtit kur ishte në opozitë janë zbatuar ndryshe kur ai ka ardhur në pushtet.

‘’ Nuk mendoj se ka diçka në Kosovë që Kurti, si opozitar, e ka kritikuar dhe nuk e ka bërë vetë si pushtetar, madje edhe më keq’’ thotë ai.

Sipas Muhaxherit, një shembull i qartë i kësaj është rasti i pagesave për qira të objekteve që përdoren nga institucionet shtetërore, ku vlera e shpenzimeve ka arritur në 9.67 milionë euro, më e larta që ka paguar ndonjëherë ndonjë qeveri që nga paslufta.

‘’ Një shembull është rasti i pagesave të qirave për shfrytëzimin e objekteve për institucionet shtetërore, ku vlera prej 9.67 milionë euro është më e larta që ka paguar ndonjëherë ndonjë qeveri që nga paslufta për qira’’ deklaroi ai për FrontOnline.

Ai theksoi se kjo tregon për një menaxhim të dobët dhe planifikim të papërgjegjshëm të Qeverisë, duke përmendur mundësinë e përfitimeve personale dhe dëmtimin e buxhetit.

‘’ Kjo tregon disa elemente ku, fillimisht, nuk përjashtohet mundësia e përfitimeve personale të ndonjë pale, ashtu sikurse paraqet edhe një planifikim të dobët të kësaj qeverie.’’ shtoi ai.

Muhaxheri theksoi se është më e rëndësishme të shqyrtohet veprimi i Kurtit, sesa çfarë ai thotë, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar ky proces në pushtet.

‘’Po ashtu, ky është një dëmtim i buxhetit dhe një mungesë e ndonjë alternative për të minimizuar shpenzimet e qirave. Prandaj, po them se nuk ka rëndësi çfarë thotë Kurti, por është më e rëndësishme se si vepron ai’’ përfundoi njohësi i ekonomisë.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit