Qeveria polake e kryeministrit Donald Tusk ka konfirmuar se para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2027, ai do të ndryshojë Ligjin e Punës në mënyrë që të reduktojë orët e punës në vend, dhe tani për tani ka dy opsione në tryezë: Vendosja e një jave pune katër-ditore ose e një dite pune shtatë-orëshe, raporton Reuters.
Java e punës katërditore ka shumë mbështetës dhe, sipas hulumtimit të platformës Click Meeting, ajo mbështetet nga 70 për qind e punëdhënësve.
“Studimet tregojnë se sa më gjatë të punojmë, aq më të stresuar dhe të lodhur jemi. Një orë tjetër e kaluar në punë nuk do të thotë domosdoshmërisht një orë tjetër efikasiteti,” tha ministrja polake e familjes, punës dhe politikës sociale, Agnieszka Dziemianowicz-Bock, e cila është një nga mbështetëset kryesore të këtij ndryshimi.
Sipas saj, kërkesa për uljen e orarit të punës në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë kohë për familje, zhvillim dhe pushim duhet të merret seriozisht.
Nga ana tjetër, disa anëtarë të qeverisë polake shprehën skepticizëm dhe pretendojnë se vendosja e një jave pune katërditore nuk është zgjidhja e duhur për një vend të prekur nga një krizë demografike.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, polakët punojnë mesatarisht 40.5 orë në javë, që është më e gjata në Bashkimin Evropian pas grekëve. Mesatarja e BE-së është 37.5 orë, dhe mesatarja globale është 34.2 orë./abcnews.al/