10.3 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

Qeveria për aplikimin në BE: Kosovës po i bëhet padrejtësi

- Advertisement -

Janë bërë afër dy vite që kur Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE. Opozita akuzon ekzekutivin për ngecjet në këtë proces. E deputetë të partisë në pushtet, fajin ia lënë zgjedhjeve të brendshme në BE.

Më 15 dhjetor bëhen dy vite që nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përgjatë kësaj periudhe, ende nuk ka pasur ndonjë hap drejt fitimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për tëvë1, kanë thënë se Kosovës po i bëhet padrejtësi përgjatë këtij procesi.

“Tashmë 8 vite nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, kur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë marrë atë menjëherë, në raste edhe pak javë pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, tha këshilltari i zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Kurse për mosecurinë e këtij procesi, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane fajëson Qeverinë e Kosovës për çka thotë se ka ngecje në shumë aspekte.

“Përveç që s’kemi asnjë vend që nuk e ka njohur Kosovën, kemi masa që flitet të jepin edhe vendet mike të Kosovës. Kemi parë si ka reaguar Gjermania për procesin e Berlinit, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kemi dështuar në Këshillin e Evropës, dmth ne kemi parë deri më tash vetëm regres sa i përket politikës së jashtme dhe integrimeve evropiane. Pavarësisht se kemi qenë opozitë ne jemi munduar në proceset integruese me qenë bashkë, i kemi votuar edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Ndërkaq, deputeti i partisë në pushtet, Alban Bajrami fajin për ngadalësim të ecurisë së procesit po ia lë zgjedhjeve të brendshme që ishin këtë vit në Bashkimin Evropian.

“Po presim me shpresën që kjo çështje, ky aplikim të trajtohet tek vendet anëtare dhe të ketë lëvizje para për një proces i cili është vetëm një hapje e kapitujve për anëtarësim në BE e për të cilin Kosova është mëse meritore për ta bërë një hapje të tillë për shkak të të gjithë raporteve që tregojnë për avancimin e madh në gati secilën fushë shoqërore, ekonomike, sociale dhe po ashtu të sigurisë”, tha deputeti i VV-së, Alban Bajrami.

Aplikimi për marrjen e statusit vend-kandidat deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.

Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. /Tëvë1/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit