– Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren me këtë përbërje:
o Ylber Elshani, kryesues;
o Agim Muçaj, anëtar;
o Selvete Xhigoli, anëtare;
o Sulejman Gashi, anëtar.
– Aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë 10 milionë euro për N. P. “Telekomi i Kosovës Sh. A.”.
– Rialokuar 147 mijë euro për dy projekte kapitale: (1) “Parku i Aventurave” në Komunën e Kamenicës; dhe (2) “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Komunën e Novobërdës.
– Miratuar Planin e Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës-2022-2026. Ky plan synon jo vetëm zbatimin e obligimeve tona politike dhe institucionale, por edhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë, ku komunitetet rom dhe ashkali nuk trajtohen si kategori të veçanta, por si qytetarë me të drejta të plota dhe të garantuara.
– Themeluar Grupin koordinues për Mishngrënësit e Mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik dhe Ujkun.
– Themeluar Grupin Intervenues për Mishngrënësit e Mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik si dhe Ujkun.
– Aprovuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në ndërmarrjet shoqërore: 651 mijë euro në “NBI Suhareka” dhe 72 mijë euro në “KB Malisheva”.
– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe Malishevës.
– Aprovuar kërkesën për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit dhe ndryshimin e shfrytëzuesit në ngastrat që ndodhen në Komunën e Junikut, në përputhje me mënyrën e shfrytëzimit, kohëzgjatjen dhe kompensimin e pyjeve dhe tokës pyjore. Bartja e së drejtës së shfrytëzimit, bëhet me qëllim të ndërtimit të Monumentit të Dëshmorëve të rënë me 17 Korrik 98 të vendi “Rrasa e Zogut”, Bjeshkët e Junikut. Investimi do të bëhet përmes Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale me procedurë të hapur konkurruese, bazuar në kritere objektive, transparente dhe jo-diskriminuese.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje ka për synim krijimin e një baze të qëndrueshme ligjore për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke inkurajuar investimet e ndërsjella dhe duke siguruar një klimë të qëndrueshme, transparente dhe të mbrojtur për investitorët.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme të ndërmarrjes Shoqërore “Kooperativa Bujqësore” Ropotovë e Madhe, Z. K. Dobërçan, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan, Zona Kadastrale: Dobërçan, Komuna e Gjilanit.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore N Sh “Industria e Tekstilit Integj” parcela kadastrale Nr. 4945-7 dhe Objekti që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilave është i nevojshëm për realizimin e projektit: “Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë rrugore” në Komunën e Gjilanit.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2 Segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.