28.9 C
New York
Wednesday, July 16, 2025

Buy now

Qeveria në detyrë e kundërshton vendimin e Supremes për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ: Arbitrar, i motivuar politikisht

- Advertisement -

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 që lidhet me përdorimin e pajisjeve dhe softuerëve fiskalë elektronikë. Sipas Qeverisë, arsyetimi i Gjykatës se akti është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetenca ligjore është i pabazuar dhe përbën interpretim të njëanshëm.

Në reagimin zyrtar thuhet se Ligji për Qeverinë nuk ndalon qeverinë në detyrë të nxjerrë akte nënligjore dhe se kufizimet lidhen vetëm me çështje madhore si marrëveshje ndërkombëtare apo projektligje të reja. Për më tepër, Qeveria thekson se procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte filluar në nëntor 2024, kohë kur Qeveria kishte mandat të plotë.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj” thuhet në deklaratë.

Qeveria po ashtu ka rikujtuar se sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar si organ funksional, prandaj nuk ekziston konflikt funksional ndërmjet pozitës së ministrit në detyrë dhe atij të deputetit.

“…. Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në reagim.

Institucionet qeveritare kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të rikthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike, ndërsa kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë që vendimet të jenë të mbështetura në ligj dhe jo në interpretime të motivuara politikisht.

Të ngjashme

Të fundit