Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e së mërkurën ndarjen e 35 milionë eurove për zbatimin e premtimit për ndarjen e 100 eurove për të gjithë të punësurait në sektorin privat me pagë mujore deri në 1000 euro bruto.
Po ashtu, qeveria në këtë mbledhje ka ndarë 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë.
“Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar dhe masën 4.4 – Mbështetja e sigurisë. Sipas vendimit janë ndarë 35 milionë euro për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.