Ai ka theksuar se 170 shtete të botës kanë fonde sovrane. Sipas tij, me këtë Projektligj “Qeveria bëhet më e vogël, por shteti më i fort e më i pasur”.
Kurti ka theksuar se sipas këtij Projektligji, ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete të tjera do të barten nga Qeveria në Fondin Sovran.
“Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm prapa këtij versioni duke besuar fuqishëm që një nismë e këtillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë, përmes diversitetit, krijimit të ekonomisë për shtetit përmes investimeve të mençura e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë”.
Fjalimi i plotë:
I nderuari zëvendëskryeministër, ministra e zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Sot është mbledhja e 145-të e Qeverisë sonë. Për trajtim kemi një prej projektligjeve më të rëndësishme i cili na mundëson realizimin e projektit më të madh ekonomik që vendi ynë ka ndërmarrë, Fondin Sovran.
Nga viti 2017, janë bërë më shumë se 6 vjet prej kur për herë të parë si Lëvizje VETËVENDOSJE! kishim prezantuar idenë dhe projektin e Fondit Sovran. Prej atëherë ai ishte pjesë qendrore e programeve tona zgjedhore e qeverisëse, përfshirë edhe programin e Qeverisë Kurti 1.
Prej idesë, në koncept. Prej zotimit, në projekt. Fondi Sovran po bëhet.
170 shtete të botës, nga rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000.
Ndërmarrjet tona publike, së bashku me 24 mijë asete tjera do të barten nga qeveria në Fond. Kjo do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kësisoj, Qeverinë po e bëjmë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur. Fondi Sovran do të na vendosë në hartën e tregjeve botërore financiare. Ai do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik.
E sot një javë, do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit.
Duke pasur parasysh ndikim pozitiv e të drejtpërdrejt që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve, bizneseve dhe shoqërive tona, si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtës.
Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve.
Në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore ashtu që importi, tranziti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të kryhen në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit. Si dhe arritja e një marrëveshje që përmes bursave të studimit do të nxisë mobilitetin e studentëve në të dy vendeve tona.
Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na afrojnë për herë e më shumë si shoqëri, si popull. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë. E marrëveshjet që do të nënshkruajmë, do të na afrojnë edhe më shumë.
Ju faleminderit.