Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime, përfshirë këtu edhe ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e obligimit të arbitrazhit ndaj kompanisë së Behgjet Pacollit, ‘‘Mabco Contructions’’, në atë që njihet si rasti i ‘‘Grandit’’.
Në vendim bëhet e ditur se shuma të cilën Qeveria ka qenë e detyruar për ta ndarë për kompaninë e Pacollit është 6,740,000.00 Euro.
Tutje, aty tregohet edhe se një pjesë e tyre, më saktë 5,311,560.05 euro ndahen në emër të dëmshpërblimit dhe kamatës, një pjesë prej 367,944.00 euro dhe 33,073.50 CHF në emër të kostos së përfaqësimit, dhe pjesa e fundit prej 1,104,312.20 USD ndahet në emër të kostos së arbitrazhit.
Më tej, në njoftim shtohet se të hollat do të merren nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, e cila, siç edhe bëhet e ditur obligohet që të zbatojë vendimin.
‘‘Mjetet nga pika 2. të këtij vendimi transferohen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me kod 201, në nën-programin “Thesari” me kod 11200, në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”’’, thuhet në vendim mes tjerash.
Rreth kësaj, dy muaj më parë kishte reaguar vetë Pacolli, i cili atëherë kishte bërë të ditur se kompania e tij **Mabco Construction Int.** kishte fituar arbitrazhin ndërkombëtar.