13.9 C
New York
Monday, October 28, 2024

Buy now

Qeveria ia bllokon Suharekës llogarinë, Bali Muharremaj e quan të qëllimshme: S’mund të kryejmë pagesa për projektet

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës ka bllokuar xhirollogarinë e Komunës së Suharekës për pasojë të Kontratës Kolektive, ka thënë për Gazetën Express të hënën Sazan Ibrahimi, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).

Gazeta Express ka kontaktuar kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka thënë se sot i ka arritur një email zyrtar për xhirollogarinë pasive të komunës.

Ai ka thënë se kjo do t’i shkaktojë probleme operimit të komunës, pasi nuk po mund të i kryejnë pagesa operatorëve që kanë kryer punimet e projekteve komunale sipas kontratës.

Si pasojë, Muharremaj ka thënë se operatorët mund ta dërgojnë komunën te përmbaruesi e kosto të rritet deri në 40%.

Këtë Muharremaj e ka quajtur “lojë politike”, të Qeverisë së Kosovës ndaj komunave, shumica prej të cilave drejtohen nga partitë opozitare.

Por, Muharremaj thotë se ai nuk bën politikë, është kryetar që iu shërben të gjithëve e paratë janë të taksapaguesve, jo të tij.

“Asnjëherë nuk kam bërë politikë, e as nuk bëjë. Jam shumë praktik. Vetëm një gjë po e them, ky vendim është në të gjitha komunat e Kosovës. Por, një buxhet që është planifikuar vitin e kaluar me 30 shtator dhe që është duke u implementuar dhe mbesin shumë projekte në gjysmë. Mundeni me ardh nesër në ora 09:30 bëhet përurimi i sallës sportive në Sopijë dhe kemi pasur me ia lëshu nesër ose pasnesër mjetet, ne nuk kemi mundësi me kry pagesë. Ka edhe shumë projekte tjera që nuk kemi mundur të krym pagesat. Shumë punë tjera në teren që mbesin në gjysmë. Kjo na bën dëm si komunë”.

“Kontratat kolektive nuk janë obligim i joni, nuk kem nënshkru. Eshtë obligim i Qeverisë së Kosovës me i kry këto obligime, e jo të barten të gjitha pagesat nëpër komunat e Kosovës”, ka thënë ai.

“Ka rrugëdale, edhe ne mund të bëjmë gabime gjatë rrugës. Por, duhet t’i përmirësojmë, në qoftëse në vitin 2018 është nënshkru një kontratë kolektive me Qeverinë e Kosovës, atëherë kjo barrë duhet të jetë e Qeverisë t’i kry obligimet ndaj mësimdhënësve e të tjera që janë të parapara me ligj”, ka deklaruar.

Më tutje, ai ka folur për problemet që do t’i shkaktojë kjo gjendje e bllokimit të xhirollogarisë komunale

“Pasi është fundi i vitit, mjetet që i mbledhim nëntor, dhjetor barten për vitin e ardhshëm. Kemi pengesa shumë me pagesa që janë kry punë. Këto regjistrohen në borxhe, barten për vitin e ardhshëm dhe ka mundësi opertorët që kanë kry punë të na dërgojnë te përmbaruesi e kjo vlerë shtohet për 40%”,ka thënë ai.

Muharremaj ka parë edhe përpjekje të Qeverisë së Kosovës për t’i dëmtuar komunat në prag të zgjedhjeve parlamentare.

“Shihet nga aeroplani, e jo vetëm prej toke. Kjo ka qëllim. Buxheti i Komunës së Suharekës është i qytetarëve, nuk është i imi. Me këtë punë nuk mund të arrijnë asgjë, edhe qytetarët do ta kuptojnë që kjo është një lojë politike”, ka thënë ai.

Ka shtuar se çështja duhet të shkojë në Kuvendin e Kosovës që të diskutohet në nivel qendror – kanë bërë kërkesë edhe te Kuvendi i Kosovës.

“Bordi i AKK e ka bërë një kërkesë iu kemi drejtu kryeplarlamentarit që kjo të shkojë në Kuvendin e Kosovës që të diskutohet, sepse kjo nuk është çështje që duhet të diskutohet në nivele lokale”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit