Komisioni për Buxhet ka ftuar për të martën mbledhje me pikë diskutimi Raportin Vjetor Financiar të Këshillit Prokurorial për vitin 2022.
Hakmarrje dhe frikë e vlerëson ish-kryeministri Hoti këtë veprim në ditën kur Qeveria ka nisur një përballje me Prokurorinë pas arresimit të Nagip Krasniqit.
“Sapo na erdhi ftesa për mbledhje të Komisionit për Buxhet për të martën më 25 prill 2023, ku do të shqyrtohet “Raporti Vjetor Financiar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022”.
Deri sot, asnjë raport financiar për vitin 2022 i asnjë institucioni nuk është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet (përjashto raportin për Kuvendin e Kosovës). Ky është raporti i parë i ndonjë institucioni që shqyrtohet në Komisionin për Buxhet prej se ka filluar viti 2023.
As “Raporti vjetor i buxhetit për 2022” nuk është shqyrtuar në Komision, që është kryesori dhe, si rregull, pas tij shqyrtohen raportet e tjera.
Nuk është rastësi që menjëherë pas veprimeve të djeshme të prokurorisë, si dhe sulmit të sotëm të Kurtit ndaj prokurorisë, të angazhohen vartësit e tij për të vazhduar sulmet me mjete tjera.
Merreni me mend deri ku shkon kjo mazhorancë në marrinë e saj për të ndikuar në drejtësi. Do të jetë e pamundur të ndikojnë, vetëm se Kosova do ta paguajë në raport me integrimet euro-atlantike dhe anëtarësimet në mekanizma ndërkombëtarë” shkruan Hoti në reagim.