Bisedimet për të krijuar koalicionin e ri qeverisës të Gjermanisë kanë hyrë në një fazë kritike.
Partia fituese, Unioni Kristian Demokrat (CDU), me në krye Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ri, bashkë me partneren CSU-Unioni Kristian Social, po zhvillojnë negociata intensive edhe me Socialdemokratët e SPD-së, të kancelarit në ikje, Olaf Scholz.
Nga këto bisedimet kanë nisur të rrjedhin informacione se për çfarë pajtohen e çfarë jo, palët.
Media të specializuara siç është “Euractiv”, raportoi se ka parë Draftin e Parë të ujdisë së mundshme të koalicionit, ku flitet specifikisht edhe për vizionin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, nisur nga Kosova, por edhe Ukraina e Moldavia, tashmë shihen si vendet që mund të jenë anëtaret e reja të BE-së, në një periudhë jo edhe të gjatë kohore.
Sipas draftit, partitë negociatore për ta bërë qeverinë argumentojnë se “ndryshimi masiv i situatës globale” kërkon një qasje të re të Zgjerimit, e cila po quhet “domosdoshmëri gjeopolitike”.