Lëvizja Vetëvendosje sërish, kësaj radhe edhe më brutalisht, është përzier në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut.
Madje, Albin Kurti ka dërguar ‘emisar’ në tubimin e Lëvizjes VLEN të Izet Mexhitit e të tjerëve.
Hysen Durmishi madje, ka mbajtur edhe fjalim. Ka thënë se përshëndetjen po e bënë në emër të Albin Kurtit.
“Kam nderin që këtë tubim kaq madhështorë ta përshëndes në emër të kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti. Këtë tetor, shqiptarët në të dy anët e kufirit marrin pjesë në zgjedhje vendimtare lokale. Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj. Ashtu siç po lidhet Prizreni me Tetovën me rrugë, duhet të lidheni edhe ju me VLEN-in, të bëheni bashkë dhe të fitoni bashkë”, ka thënë Durmishi në fjalimin të cilin e ka publikuar edhe në rrjete sociale.
Madje, Durmishi mori guximin që të pozicionohet me emër të qeverisë së Kosovës.
“Shqiptarët nuk kanë luksin të ndahen, sepse vetëm të bashkuar bëhen faktor. Qeveria e Kosovës, Lëvizja jonë, është me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht. VLEN nuk është vetëm koalicion, por mundësia që zëri shqiptar të dëgjohet qartë dhe fuqishëm. Prandaj, mesazhi është i thjeshtë: Atje me 12 tetor VLEN Vetëvendosja. Këtu me 19 tetor VLEN-i ju”, ka thënë ministri në detyrë i Infrastrukturës.
Durmishi la të kuptohet se në këtë tubim do të merrte pjesë edhe Albin Kurti, por që i njëjti është në Amerikë.
“Bashkohuni, mobilizohuni dhe fitoni bashkë sepse kjo përpjekje i’a VLEN Dhe për fund: keni të fala të përzemërta nga Kryeministri Albin Kurti, i cili për shkak të vizitës në SHBA nuk pati mundësi të ishte edhe fizikisht këtu me ju. Faleminderit e shumë suksese!”, tha ai.
Para Maqedonisë, Kurti ishte përzier së pari në zgjedhjet në Shqipëri, duke marrë pjesë me partinë e tij, degën në Tiranë, ku dështoi keq.
Kurti u përzie edhe në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni.
Madje, Arben Taravari e quajti Kurtin ‘kumbara’ i koalicionit VLEN.
“Patjetër që ka pasur ndikim. Unë e them shpesh se arkitekti politik i VLEN-it ka qenë zoti Kurti, dhe pa garancitë e tij nuk do ta kisha marrë vendimin të bashkohem me VLEN-in”, tha Taravari.
“E kam thënë edhe publikisht, para se të largohem nga qeveria, si me kryeministrin Kurti, ashtu edhe me kryeministrin Mickoski këtu në Maqedoni, pasi në koalicion ishim katër parti plus Vetëvendosja. Të gjitha vendimet duheshin të miratoheshin nga organet partiake dhe nga koalicioni që formuam”, tha ai.