-0.1 C
New York
Sunday, December 14, 2025

Buy now

Qeveria e kërkoi shkarkimin e tij për shkak të kritikave ndaj Kurtit, Vehbi Miftari krah Osmanit në Vatikan

- Advertisement -

Shefi i Misionit të Posaçëm të  Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, është parë duke e shoqëruar presidenten Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj atje. Para disa javësh, Miftari, i kishte reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që kishte shkuar në një koncert të Korit të Operës së Kosovës në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli.

Në reagimin e tij, Miftari e ka pyetur Kurtin se kush është marrë me organizimin e vizitës së tij, nëse jo Misioni i Kosovës në Vatikan.

“Kryeministër! Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan, a ishte aty, ashtu siç e kërkon praktika diplomatike dhe sjellja shtetërore? A e kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin, nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”, kishte shkruar Miftari.

Pikërisht kjo, kishte qenë arsyeja sipas raportimeve, Qeveria nëpërmjet MPJD i kishte kërkuar presidentes Osmani që ta shkarkojë Miftarin nga detyra.

Në një dokumet të publikuar nga “Demokracia” kërkesa është nënshkruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili pretendon se Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat sipas MPJD-së dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit.

“Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhej në kërkesë.

Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani për tri vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët në kohën kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës.

Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024, ndërsa pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë e ndjeshme diplomatike që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

Të ngjashme

Të fundit